3 Hours
Duration
Gjirokastër
Location
1-10 People
Group
All Year
Dates

Gjatë turit të Luftës së Ftohtë do të keni mundësi të vizitoni disa nga objektet kryesore, që identifikohen me ecurinë e një periudhe ku paranoja e sistemit ndryshoi shumë rreth jetës së njerëzve. Do të mësoni sesi ndryshoi e përditshmja, sesi krijime si “imperializmi”, “armiku i klasës”, “ tradhëtia ndaj atdheut”, “diktatura e proletariatit” dominuan dhe sunduan mendjen dhe jetën e njerëzve.

Vizita do të fillojë në Tunelin e luftës së ftohtë.

Punimet për ndërtimin e këtij tuneli filluan në vitet 1970, një periudhë kohore kur regjimi i kishte prishur marrëdhëniet diplomatike si me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën komuniste.

Qëllimi i ndërtimit të këtij tuneli ishte mbrojtja e krerëve komunistë të kohës. Ky tunel do të shërbente si vendstrehim për udhëheqësit, në mënyrë që ata të mund të udhëhiqnin veprimet ushtarake në rastin e një sulmi nga jashtë.

Qëllimi i ndërtimit të tij kuptohet lehtësisht, nga vendodhja e tunelit. Hyrja kryesore e tij është e pozicionuar krah “Komitetit të Partisë” ndërtesë e cila në ditët e sotme funksionon si Bashkia e Gjirokastrës.

Tuneli është i gjatë 1.5 km. Brenda tij janë ndërtuar 50 dhoma të cilat do të funksiononin si ambiente banimi për udhëheqësit, zyra nga ku do të koordinoheshin lëvizjet ushtarake, menza e depo uji.

I gjithë tuneli është i përshkuar nga një sistem ventilimi, gjithashtu në brendësi të tij u ndërtua edhe një central elektrik.

Përgjatë turit do të njiheni me histori të padëgjuara më parë, fakte dhe ngjarje që regjimi u përpoq ti mbajë të fshehta.

Stacioni i dytë i i këtij turi do të jetë Kalaja e qytetit, më saktë ndërtesa e burgut që gjendet brenda kalasë.

Burgu i kalasë, i njohur ndryshe si “Burgu i 7 penxhereve”, e kreu funksionin e tij deri në vitin 1968.

Regjimi komunist i kohës burgosi me qindra intelektualë gjirokastritë e jo vetëm. Të burgosurit vuanin dënimin në dhomat e ftohta.Shumë prej tyre u pushkatuan, ose u zhdukën pa asnjë gjurmë dhe rezultojnë pa varr sot e kësaj dite.

Ky burg është një nga dëshmitë e forta të terrorit së regjimit të kohës edhe pse vizualisht e vërteta ende fshihet.

Gjatë vizitës guida shoqëruese do t’ju njohë jo vetëm me rrëfime të njerëzve që jetuan dënimin e tyre brenda mureve të këtij burgu, por edhe me historitë e mbështetësve të regjimit dhe njerëzve të cilët i shërbyen atij regjimi.

Ndalesa e tretë e turit do të jetë në shtëpia ku lindi dhe u rrit diktatori Enver Hoxha. Shtëpia gjendet e pozicionuar në lagjen Palorto të qytetit.

Shtëpia e cila u dogj dhe u rindërtua 5 herë më e madhe, është një banesë sa e çudishme aq edhe absurde.

Gjatë vizitës në shtëpi, e cila sot shërben si “Muzeu Etnografik” i qytetit, do të mësoni rreth fëmijrisë së Enver Hoxhës, dhe rreth asaj sesi ai udhëhoqi më pas një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë, periudhën e një diktature 50 vjeçare.

Do të njiheni me mërtië dhe ndëshkimet për kundërshtarët, më hakmarrjen për ata që e njihnin më mirë, me pabesitë për ata që i besuan, një kalvar që nisi me ndërshkimet për shokët e tij të fëmijërisë.

Pas vizitës do të përshkojmë gjithë zonën historike të Gjirokastrës, për ta mbyllur itinerarin me një prezantim në sallën tonë të takimeve duke shijuar një kafe.

Prezantimi do të fokusohet tek anët që ishin më pak të dukshme për vizitorët. Do të shpjegohen konceptet kryesore që u krijuan dhe që u injektuan me forcë tek popullata gjatë asaj periudhe të errët si “Koncepti i njeriut të ri” ai i “Diktaturës së proletariatit”, ideologjizimi që preku gjithë sektorët nga ekonomia tek arti shpjegime rreth mënyrës së jetesës së njerëzve në qytet dhe fshat. Do të kemi një shpjegim të ilustruar me foto dhe fakte nga arkivat e familjeve lokale se si këto koncepte u injektuan nga diktatatura në Shqipëri. Turi i Luftës së Ftohtë do të mbyllet me pyetjet e pjesëmarrësve rreth përmbajtjes.

Cmimet:

Per 1 person: 55 Euro

Mbi 5 persona: 48 Euro/person

Kohëzgjatja: 3 orë

Minimumi i grupit: 1 person

Minimumi i grupit: 10 persona

Koha e nisjes: Cdo mëngjes në 8.30 dhe cdo mbazdite në 4 pm/Gjatë gjithë vitit